Me datë 07.03.2008, bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues të A.K.E.P, Nr. 437 datë, 21.02.2008, hyn në fuqi "Rregullorja për Regjistrimin dhe Administrimin e Emrave të Domain-eve nën .AL dhe nën domain-et .gov.al, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al". Në këtë Rregullore, të hartuar nga specialistet e A.K.E.P, janë pasqyruar dhe vërejtjet e sugjerimet e palëve të interesit, pas konsultimit publik. Kjo Rregullore synon liberalizimin hap pas hapi të administrimit të emrave te domaineve ne zonën e .al dhe nën domianet .com.al, .org.al dhe .net.al. Gjithashtu, në një periudhë të afërt, bazuar mbi këtë Rregullore do të prezantohet skema e administrimit të regjistrimeve të emrave, "Registry" – "Registrar" që do të bëjë të mundur uljen e kostos për emër të regjistruar dhe ofrimit në një kohë minimale të shërbimit të regjistrim/rinovomit.

 

Periudha kalimtare (Sunrise period)


Gjatë periudhës kalimtare (sunrise period), Rregullorja do të jetë e zbatueshme në tërësi përveç atyre përcaktimeve që bien ndesh me kushtet e veçanta dhe të përkohshme të parashikuara në këtë nen dhe aneksin përkatës (ANEKS 1).
a) Vetëm për këtë periudhë, kushtet e përcaktuara në këtë nen, kanë përparësi dhe fuqi mbi ato të Rregullores.
b) Afati i Periudhës kalimtare – “sunrise period” do të përcaktohet me vendim të veçantë nga Autoriteti Përgjegjës, por nuk do të jetë më e gjatë se kater muaj nga dita e hyrjes në fuqi të Rregullores.


Periudha kalimtare (sunrise period), shërben për t’i dhënë mundësi subjekteve që të regjistrojnë emrat me te cilët janë regjistruar në Regjistrin Tregtar ose në ndonjë formë tjetër të njohur ligjërisht, emrat e markave të regjistruara nga ato, apo të tretë që u japin të drejtën e përdorimit të tyre, si dhe emra të tjerë me të cilët lidhet biznesi apo aktiviteti i tyre dhe që ato kanë mundësi, nëpërmjet dokumentacionit përkatës, t’i vërtetojnë si të tillë.

Kushtet, mbi të cilat veprohet gjatë “periudhës kalimtare” (sunrise period), synojnë mbrojtjen e të drejtës mbi emrat e personave juridik publikë dhe privatë si dhe personave fizikë tregtar, emrat e markave të regjistruara që ato posedojnë, si dhe emra që lidhen me to.
Zbatimi jo korrekt i tyre ose mosveprimi nga ana e subjekteve të interesuara nuk përbëjnë përgjegjësi ligjore për Autoritetin Përgjegjës por për vetë subjektet.
Rregullat e parashikuara në “periudhën kalimtare” (sunrise period), janë të vlefshme dhe për rrjedhojë të zbatueshme vetëm për emrat e domain-eve që do të regjistrohen në zonën e “.al” dhe nën domain-et “.com.al, .org.al dhe .net.al”. Ndërsa, për nën domain-et “.gov.al, .edu.al dhe .mil.al” regjistrimi i emrave të domain-eve do të bëhet sipas neneve të përcaktuara në Rregullore.

Gjatë “periudhës kalimtare” (sunrise period), përveç personave juridikë privatë dhe personave fizik tregtar, të drejtën për të regjistruar një emër domain-i nën “.al” do ta kenë edhe personat juridik publik, por emri që do të regjistrohet do të jetë i njejtë ose i përafërt me emrin e institucionit apo projektit që do të ndërmerret prej tyre.

Kushtet që do të zbatohen për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve gjatë “periudhës kalimtare” (sunrise period), përcaktohen në “ANEKSI 1”, bashkëngjitur me Rregulloren.