Kushtet dhe kërkesat e përgjithshme


Autoriteti Përgjegjës, gjatë procesit të regjistrimit vepron në mirëbesim mbi bazën e parimit të “vetëdeklarimit”, duke marrë të mirëqenë vërtetësine, saktësinë, autenticitetin (origjinalitetin) dhe ligjshmërine e të dhënave të paraqitura nga aplikuesi në formularët përkatës.

Aplikuesi, përgjigjet ligjërisht mbi bazën e legjislacionit në fuqi, për vërtetësinë, saktësinë dhe autenticitetin e çdo të dhëne (informacioni) në zbatim të kërkesave të parashikuara në Rregullore. Për këtë, aplikuesi deklaron me shkrim përgjegjësinë ligjore për sa më sipër dhe se ai ka zbatuar të gjitha rregullat dhe në veçanti nuk cënon të drejtën e palëve të tjera të percaktuara në ligjin për Konkurrencen, ligjin “Për të drejtën e autorit”, pronësinë intelektuale, kulturore, etj.

Autoriteti Përgjegjës, do të veprojë duke prezumuar legjitimitetin, saktësinë, vërtetësinë dhe autenticitetin e informacionit në lidhje me të dhënat e përftuara nga aplikuesi për regjistrimin e emrit të domain-in për të cilin aplikohet, duke disponuar në çdo kohë të drejtën e verifikimit të tyre në rast dyshimi, ankimimi ose veprimi rutinë nga ana e tij.
Gjithashtu, në rastin e një cënimi haptazi të së drejtës (ligjshmërisë) ose në rastet e një përdorimi të pa autorizuar prej tij të shërbimeve të parashikuara në Rregullore, Autoriteti Përgjegjës do të veprojë sipas Rregullores duke mos pranuar aplikimin ose mbyllur emrin e domain-it në përdorim.

Aplikuesi, vepron duke patur parasysh detyrimin për sigurimin dhe ruajtjen e Autoritetit Përgjegjës nga ankime dhe dëme që mund të vijnë nga palët e treta, për cënim të të drejtave të tyre të parashikuar ligjërisht që vjen si pasojë a dhënies së atij emri domain-i për të cilin është aplikuar, si dhe mban përgjegjësi ligjore (administrative, civile dhe penale) në rast të vërtetimit të tyre nga organet kompetente, mbi bazën e një vendimi përfundimtar gjykate.

Asnjë e drejtë tjetër nuk mund të burojë ose pretendohet nga dhënia në përdorim e nje emri domain-i prej Autoritetit Përgjegjës, përveç atyre të përcaktuara në Rregullore. Marrëdhëniet e krijuara ndërmjet aplikuesit dhe Autoritetit Përgjegjës nuk konsiderojnë dhe nënkuptojnë asnjë masë mbrojtëse në favor të të tretëve përtej atyre të parashikuara në Rregullore.